E premte, 6 nëntor 2026 · Shkup
LAJM I FUNDIT
Ekonomi

Kosova dhe Suedia synojnë thellimin e bashkëpunimit ekonomik

4.11.2026, 13:19

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në takim ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Asa Pehrson, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, si dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Kusari-Lila ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka falënderuar ambasadoren për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë për Kosovën, veçanërisht në fushën e demokratizimit dhe mbrojtjes së mjedisit.

Një vëmendje e veçantë gjatë diskutimit i është kushtuar industrisë së drurit, sektor të cilin ministrja e ka vlerësuar me potencial të madh për rritjen e prodhimit dhe eksporteve të Kosovës.

Në këtë kontekst, Kusari-Lila ka theksuar rëndësinë e Konventës së 9-të të Industrisë së Drurit, e cila do të mbahet më 26 nëntor, si dhe vizitës së paralajmëruar të një delegacioni të bizneseve suedeze në Kosovë.